Tashmë ka nisur sezonin e tij të dytë në Bundesligën gjermane në rradhët e ekipit Buhl Bisons. Volejbollisti shkodran Anton Qafarena e ka nisur atë tashmë si një lider. Nëse në sezonin e parë i duhej të përshtatej me ritmin e lartë të volejbollit gjerman, tashmë kjo nuk përbën më problem.

Përkundrazi, me lojën e tij po shndërrohet në një lider tëkëtij ekipi ndonëse është vetëm 21 vjeç. Për ta vërtetuar këtë gjë, mjafton të përmendim dy trofetë e fundit personal që ai ka fituar brenda një muaji.

Kështu, në fund të muajit shtator në Spanjë është zhvilluar një turne miqësor ku kanë marrë pjesë ekipe nga ky vend, nga Finlanda, Polonia dhe Gjermania. Mes tyre ishte edhe ekipi i shkodranit Qafarena dhe në fund të turneut, ka ardhur edhe një trofe special për të.

Ai është shpallur lojtari më i mirë i turneut dhe për këtë ka marrë kupën përkatëse. Ndërkohë, në Gjermani ka dy javë që ka nisur Bundesliga.

Në javën e parë, Buhl Bisons ka arritur të fitojë 3-2 ndërsa në javën e dytë, ka humbur në transfertë 0-3 ndaj pretendentit kryesor për titullin kampion- Friedrichshafen. Ekipi i tij vërtetë humbi, por për Anton Qafarenën ka ardhur një trofe.

Me 21 pikë të shënuar ai vlerësuar si lojtari i ndeshjes. Jo keq për këtë fillim sezoni, apo jo? Megjithatë ai premton të vazhdojë të bëjë më të mirën për këtë ekip për të arritur objektivat që ai ka.

“Padyshim që synojmë të jemi në mes ekipeve më të mira të Bundesligës edhe sivjet. Synojmë play-off-in e kampionatit dhe po ashtu edhe në kupë synojmë të ecim sa më shumë”- thotë për “Shkodra Sport” Anton Qafarena, volejbollisti shkodran që po luan me sukses në Bundesligën gjermane, një nga katër kampionatet më të forta të Europës.
© shkodrasport.com