Ndryshime në formacion për ndeshjen me Kukësin tek Vllaznia. Trajneri Duro, I pakënaqur nga paraqitje a disa prej futbollistëve në ndeshjen e parë të kampionatit, atë të humbur ndaj Skënderbeut, ka vendosur të lërë jashtë formacionit disa prej titullarëve të asaj ndeshje. I pari që do ta pësojë është mesfushori malazez Ivan Deliç. Pavarësisht bagazhit të shkëlqyer teknik që ai disponon duket se lojtari I ardhur këtë verë në Shkodër ende nuk e ka kontigjentin e duhur fizik. I dyti është sulmuesi tiranas Vilfor Hysa. Edhe ai ndaj korçarëve nuk paraqiti asgjë të mirë në fushën e lojës. Në 90 minuta, nuk ka kryer qoftë edhe një gjuajtje të vetme në portë. Edhe për të problem duket se është gjendja fizike. Ndoshta vera e kaluar me idenë e kalimit sa tek njëra skuadër aq edhe tek tjetra, ka ndikuar në formën e tij. I treti që pritet të mbetet jashtë formacionit për ndeshjen me Kukësin është mbrojtësi vlonjat Halim Begaj. Edhe ai ndaj Skënderbeut nuk paraqiti gjendjen e tij më të mirë dhe prandaj nuk e mbylli takimin pa u zëvendësuar. Trajneri Duro me shumë mundësi do t’I lërë jashtë të tre këta lojtarë. Një gjë e tillë është konstatuar në seancën e djeshme stërvitore teksa të tre këta futbollistë nuk janë stërvitur me grupin e lojtarëve që mendohet të luajnë në Kukës. Po kush do të jetë në vend të tyre. Në vend të Begajt në krahun e majtë të mbrojtjes do luajë Semina. Ky I fundit ka luajtur disa minuta në ndeshjen e parë dhe ka bërë një paraqitje të mirë. Tre të tjerët e këtij reparti do jenë të pandryshueshëm me Smajlin, Beqirin dhe Osmanin, pavarësisht se për këta dy të fundit pati jo pak kritika për paraqitjen në takimin e parë. Në portë padyshim që do jetë Vujadinoviç si gjithnjë. Ndryshime edhe në mesfushë. Në të djathtë do luajë Dragoi, në të majtë këtë herë do jetë Shtubina pasi Hajdari do spostohet në sulm. Në qendër të mesfushës përkrah Nallbanit këtë ndeshje do luajë Belisha. Shkodrani do të zërë vendin e Deliçit. Në fakt një vendosje e tillë nuk është risi pasi dyshja Nallbani- Belisha ka luajtur sëbashku për disa sezone tek Vllaznia. Edhe në sulm do ketë ndryshime. Hysa do ta nisë nga stoli dhe në vend të tij siç thamë do jetë Hajdari që do luajë bashkë me kosovarin Rexha. Kjo është 11-shja që trajneri Duro ka menduar të hedhë në fushë në ndeshjen e dytë të kampionatit me idenë e ndryshimit jo vetëm të mënyrës së të luajturit por edhe të rezultatit. Ulja në stol e tre prej blerjeve të merkatos së verës tregon se Vllaznia ka ende probleme me lojën e saj. Disa prej lojtarëve të ardhur nuk janë në formën e duhur dhe për këtë arsye ende nuk mund të japin maksimumin e tyre. Deliç ka 8-9 muaj që nuk luan si pasojë e një dëmtimi fillimisht dhe më pas e probleme kontraktuale me ish-skuadrën e tij. Begaj vjen pas një dëmtimi në kavilje dhe Hysa pra me problemet e mostërvitjes së mirë si pasojë e merkatos së verës dhe tentativave për të shkuar sa në njërin ekip në tjetrin. Në këtë mënyrë ndryshimet në formacion do bëhen dhe pritet të shihet nëse do ketë ndryshime edhe në rezultat në krahasim me ndeshjen e parë.
Gjergj KOLA