Idriz Batha është shndërruar në një nga personazhet më të rëndësishme të merkatos së futbollit shqiptar, sepse numri i skuadrave që duan ta kenë në gjirin e tyre shtohet çdo ditë e më shumë.
Mesfushori me largimin nga UTA Arad, duket se e ka mbyllur aventurën e tij jashtë Shqipërisë dhe po përgatitet të rikthehet për një “kërcim të fundit” atje ku hodhi hapat e parë dhe nisi rrugëtimin e tij, pikërisht në Abissnet Superiore.
Kandidatët për 31-vjeçarin janë të shumtë, por realisht pistat kryesore kanë mbetur vetëm dy. Më parë, është përfolur për Tiranën dhe Shkëndijën e Tetovës, me këtë të fundit që qëndron gjithnjë vigjilente për yjet shqiptarë.
Gjithsesi, në garën kryesore duket se janë Vllaznia dhe Partizani. Nga sa bëhet e ditur, presidenti i të kuqve Gazmend Demi ka pasur një takim me Bathën, ku i ka shfaqur interesin për ta afruar në gjirin e ekipit.
Nga ana tjetër, edhe Vllaznia ka patur bisedime me mesfushorin gjirokastrit dhe kete e ka pranuar edhe vete ai ne prononcimin e tij diten e djeshme per “Shkodra Sport”, teksa gjithçka mbetet për t’u parë dhe zbuluar në ditët në vijim, sepse për momentin nuk ka asgjë zyrtare.
Megjithatë, merkatoja ka shumë zhvillime dhe në Shkodër duhet vepruar shpejt në rast se duan ta fitojnë këtë “betejë”, ndryshe nga çfarë ka ndodhur me futbollistë të tjerë.
Maringlen ZHIVANI