Vllaznia nuk ndalet as nga Tirana. Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në kryeqytet, kuqeblutë kanë barazuar 1-1 duke ruajtur diferencën me ndjekëset e saj. Në këtë përballje ndaj bardhebluve, shkodranët kanë qenë edhe të pafat sepse kanë patur shumë raste shënimi, megjithatë nuk ia kanë dalë t’I konkretizojnë.

Ndeshja nisi mirë për Vllazninë e cila që në minutën e 5-të ishte shumë pranë golit por gjuajtja e Ardit Hoxhajt ndalet në shtyllë. Ndërkohë tetë minuta më vonë, Muçi përfiton Brenda zonës shkodrane dhe arrin ta dërgojë topin në rrjetë. Kuqeblutë të pakënaqur me disavantazhin, hidhen në sulm dhe kanë mundësi të shënojnë me Dilaver dhe Hoxhajn, por nuk ia dalin.

Edhe vendasit në fakt kanë mundësi për të dyfishuar por Muçi nuk ia del. Në këtë mënyrë, pjesa e parë është mbyllur me avantazhin 1-0 në favor të Tiranës. Pjesa e dytë nis krejt ndryshe për Vllazninë. Brenda pesë minutave të para është sulmuesi Dilaver që në dy raste I ka të gjitha mundësitë për të barazuar shifrat, por gabon në shënjestër.

Megjithatë me kalimin e minutave, presioni I kuqebluve bie dhe madje në minutën e 67-të Ismailgeci ishte shumë pranë golit të dytë për vendasit. Ndërkohë nga minuta e 74-të Tirana mbeti me 10 lojtarë në fushë ngaqë Torrasa u ndëshkua me karton të kuq dhe Vllaznia u mundua të përfitonte nga kjo gjë. Dhe në fakt ia doli.

Pesë minuta më vonë, pas një krosi nga e djathta, Imeri kërcen saktë me kokë duke e dërguar topin në rrjetë. Më pas, gjithçka flet në favor të ekipit Shkodran që ka edhe disa raste të tjera shënimi por lojtarët e tij janë të pafat. Përfundimisht 1-1 dhe Vllaznia vijon të ruajë kryesimin e renditjes dhe njëkohësisht edhe diferencën me ndjekëset e saj.

Tirana 1 – 1 Vllaznia

Shenues: Muçi 13′/ Imeri ’79

Tirana (3-4-1-2): Bekaj, Toshevski, Najdovski, Hoxhallari, Halili, Toli, Batha, Ismajlgeci, Torassa, Muçi, Danso Trajner: Nevil Dede

Vllaznia (4-3-1-2): Zogovic, Gurishta, Adili, Imami, Isaevski, Marku, Krymi, Jonuzi, Imeri, Dilaver, A. HoxhajTrajner: Thomas Brdaric