Dëmtimi sërish i mesfushorit Krymi pikërisht në prag të ndeshjes së kombëtares U-21 ndaj Sllovakisë, çka e detyroi stafin të mos e aktivizonte në këtë takim, ka alarmuar drejtuesit e Vllaznisë.

21 vjeçari konsiderohet një pikë shumë e fortë për këtë skuadër dhe padyshim që duhet parë gjendja e tij tashmë deri në ndeshjen e të shtunës tjetër ndaj Skënderbeut.

Shpresat janë që ai të mos ketë ndonjë dëmtim serioz sepse kjo do t’i penalizonte shumë. Të mos harrojmë se në pozicionin ku luan Krymi, në qendër të mesfushës, edhe një tjetër lojtar është i dëmtuar.

Bëhet fjalë për Florind Bardullën i cili prej më tepër se një muaji është larg skuadrës si pasojë e një dëmtimi që ka patur.

Sot ndërkohë, ai ka qenë në stërvitje por ka zhvilluar vrapime të lehta.

Kështu do të vazhdojë edhe nesër dhe mbase nga e hëna, do t’i bashkohet ekipit në stërvitje por gjithsesi vështirë të bëhet për takimin e rradhës me Skënderbeun.
© shkodrasport.com