Vllaznia në basketboll për meshkuj po vijon të kalojë një situatë kritike. Mungesa e anës financiare ka ndikuar që nga ekipi kuqeblu të largohen basketbollistët titullarë, jo vetëm të huajt, por madje edhe shkodranët.

Në këto kushte, në fushën e lojës për skuadrën kuqeblu kanë qenë lojtarë 15-16 vjeçarë, të cilët e kanë të vështirë të përballojnë ekipet e tjera rivale.

Për rrjedhojë, si rrallëherë tjetër në kampionat, skuadra kuqeblu nuk ka arritur të fitojë asnjë ndeshje deri më tani, duke rregjistruar pesë humbje rradhazi në pesë javët e para të kampionatit. Humbja e fundit ishte në përballjen me Teutën në transfertë, ku durrsakët fituan me rezultatin e thellë 110-78.

Kështu pas kësaj jave, Vllaznia në basketboll, e drejtuar nga trajneri Damian Bekteshi renditet në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit, duke qenë kandidate kryesore për rënien një kategori më poshtë.

Për situatën problematike që po shoqëron kampin kuqeblu e ka ngritur zërin disa herë trajneri Bekteshi, duke kërkuar nga Shoqata e Basketbollit Vllaznia dhe Bashkia Shkodër që të ndërhyjnë sa më parë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë lëvizje konkrete në këtë drejtim.

Ndoshta, në ditët e ardhshme mund të ketë ndonjë afrim të ndonjë sponsori, por të presim dhe të shohim.
Maringlen ZHIVANI