Njëra dëshirë e shkodranëve u realizua. Ato fituan vetë ndaj Tiranës në javën e parafundit të kampionatit dhe po ashtu, edhe Kamza u mund nga Teuta.Por kjo nuk mjafton sepse gjithçka sa i takon qëndrimit apo jo në Superligë për Vllazninë e basketbollit të meshkujve, do të vendoset këtë të shtunë kur do të luhen ndeshjet e javës së fundit.

Vllaznia luan në Tiranë ndaj Partizanit ndërsa Kamza pret në fushën e saj ekipin kryesues të kampionatit, Goga Basket.Në pamje të parë, më shumë shanse për të fituar ka ekipi shkodran ngaqë Partizani e ka siguruar play off-in dhe nuk ka shumë pretendime.

Ndërkohë, në krahun tjetër, Kamza luan me ekipin më të mirë aktualisht të basketbollit shqiptar, “Goga Basket” dhe padyshim që do ta ketë të vështirë të fitojë.

Vllaznia e ka të detyrueshme fitoren, duke shpresuar që Kamza nuk do ta bëjë të njëjtën gjë. Por në rast se të dy ekipet mbesin me pikë të barabarta pas ndeshjes së fundit, atëherë në Superligë do të qëndrojnë kamzalinjtë ndërsa shkodranët do bien në të parën.

Arsyeja është sepse sipas rregullores, në rast se dy ekipe janë me pikë të barabarta, atëherë vendosin ndeshjet direkte. Në këto të fundit, Kamza ka fituar 3 ndeshje dhe Vllaznia 1, çka do të thotë se kamzalinjtë janë në avantazh dhe do qëndonin ata në Superligë.

Megjithatë gjithçka mund të ndodhë dhe kuqeblutë kanë edhe 40 minuta shpresë deri në fund. Trajneri Plantak dhe basketbollistët e tij duhet të bëjnë maksimumin për ta mundur Partizanin, për të qenë në rregull me veten dhe për të pritur ndonjë humbje të Kamzës ndaj “Goga Basket”.
© shkodrasport.com