Vllaznia e fazës së dytë është më sulmuese, çka e faktojnë më së miri vetë shifrat. Vetëm në 6 javë janë shënuar 8 gola, një mesatare që bind. Një gol mban firmën e mbrojtësit Dritan Smajlit, një tjetër të Dragoit, ndërsa gjashtë të tjerët janë realizuar nga Rexha, Gjini dhe Hajdari (të cilët kanë shënuar nga dy herë). Megjithatë, golashënuesit e mësipërm, edhe pse në asnjë takim nuk kanë luajtur të gjithë së bashku, janë efikasë para porte dhe tepër të qartë në lojën e tyre.
Në mbyllje të fazës së parë të gjithë ishin skeptikë, madje nuk besohej se do vinte kthesa e shumëpritur. Mirëpo një gjë e tillë ndodhi dhe aktualisht shkodranët renditen të pestët në tabelë me 29 pikë, që do të thotë se shpresat për të zënë një vend në Europë janë të mëdha. Në 13-të javët e fazës së parë ekipi nuk ka arritur të shënojë më shumë se 15 gola. Në këtë kohë pjesë e kuqebluve ka qenë edhe një tjetër sulmues si Vilfor Hysa. Sipas ish-teknikut Shpëtim Duro, pika më e dobët e Vllaznisë ishte sulmi. Ai ka qenë kritik i fortë me këtë repart. Lëvizjet e sulmuesve kanë qenë të shumta, madje vazhdimësia e dy prej tyre, Rexhës dhe Hysës, me ekipin e Vllaznisë dukej e pamundur. Nëse Hysa edhe nga Bushati u quajt si jo i përshtatshëm, klubi e la të lirë dhe më shumë besuan te Rexha. Sulmi po prodhon dhe ky fakt bind. Ndryshimi që vërejnë specialistët dhe vetë tifozët e kësaj Vllaznie, nga ajo e para 3 muajve, është pikërisht para portave kundërshtare. Ajo që bind nuk është vetëm konkretizimi, por edhe ndërtimi i rasteve, që janë shtuar ndjeshëm.
Admir URUÇI