Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Sporti shkodran është tronditur nga një lajm i hidhur. Është ndarë nga jeta në moshën 39-vjeçare ish-basketbollisti dhe trajneri i njohur shkodran, Fatjon Taraboshi, një prej emrave që ka lënë gjurmë me fanellën e Vllaznisë.
Prej muajsh ai po përballej me probleme të rënda shëndetësore dhe kishte kryer edhe një ndërhyrje të vështirë kirurgjikale në Itali. Për shkak të gjendjes së tij, ishte organizuar edhe një fushatë solidariteti për ta ndihmuar në përballimin e kostove të trajtimit dhe medikamenteve.
Taraboshi ishte një figurë e respektuar e basketbollit shkodran, kampion me Vllazninë si sportist dhe më pas i angazhuar edhe si trajner. Vetëm pak javë më parë ai ishte vlerësuar publikisht për kontributin e dhënë ndër vite në basketbollin e qytetit të Shkodrës.
Ndarja e tij nga jeta lë një boshllëk të madh në komunitetin sportiv shkodran. Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Taraboshi, të afërmve dhe gjithë sportdashësve që e njohën dhe e vlerësuan për kontributin e tij.


