Vllaznia ka arritur në një nga momentet më kritike të ekzistencës së vet si klub, pasi kuqeblutë rrezikojnë seriozisht rënien nga elita e futbollit shqiptar.

Shkodra, djepi i futbollit siç njihet ndryshe, po përjeton për të dytin sezon radhazi makthin e dështimit sportiv.

Nëse një vit më parë një qytet i tërë mori frymë lirisht në finalen e javës së fundit me Tiranën, kësaj radhe situata paraqitet akoma dhe më e vështirë.

Në garë për të shoqëruar Lushnjën janë edhe Teuta me Kamzën, por që duken më të avantazhuara se Vllaznia.

Kamza ka qetësinë e të qenurit 4 pikë përpara në klasifikim, ndërsa Teuta avantazhin e të qenurit një skuadër eksperte për të menaxhuar një situatë të tillë, pasi kjo nuk është hera e parë që gjendet në një situatë të tillë.

Në këtë këndvështrim dueli me Laçin është si një ‘match point’ për shkodranët, pasi në rast dështimi atëherë ky sezon mund të mbyllet i tillë, me dështimin sportiv.

Dy humbjet radhazi turbulluan ujërat në skuadër, por edhe tek tifozët. 6 javë deri në fund dhe për Vllazninë gabimet nuk lejohen, duke nisur nga 90-minutëshi me kurbinasit.

Sfida po përgatitet në heshtje totale shtypi dhe me një situatë të rënduar psikologjike, pasi skuadra që filloi të bindte disa javë më parë duke sikur është shkërmoqur menjëherë.