Vllaznia në futboll për femra e ka nisur me fitore fazën e dytë të kampionatit. Pasditen e sotme ajo ka fituar me rezultatin e thellë 8-0 ndaj Atletik në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”.
Takimi nuk ka patur shumë histori, për vetë disnivelin në mes dy ekipeve. Dhe si rrjedhojë që në minutën e 2-të ka qenë 15 vjeçarja Aldisa Kronaj që ka zhbllokuar rezultatin duke shënuar në portën e ish- skuadrës së saj.
Më pas do të vinin edhe gjashtë gola të tjerë po në pjesën e parë që do të mbanin firmën e Megi Doçit dhe pjesa e parë në këtë mënyrë do të mbyllej me shifrat 7-0. Në pjesën e dytë do të kishim edhe një gol tjetër të Doçit që do ta thellonte edhe më shumë rezultatin përfundimtar të kësaj ndeshje.
Me fitoren e sotme, Vllaznia është ngjitur në kuotën e 27 pikëve (me 9 fitore në 9 ndeshje të luajtura) dhe kryeson e vetme renditjen, e ndjekur nga Apolonia me 22 pikë në vendin e dytë, Teuta në vendin e tretë me 18 pikë dhe Gramshi me 16 pikë në vendin e katërt por me një ndeshje më pak të luajtur.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


