Vllaznia në futboll për femra do të rikthehet sërish në fushë ditën e sotme për ndeshjen “derbi” ndaj Kukësit, për javën e gjashtë të kampionatit. Vajzat kuqeblu vijnë në këtë sfidë në prag të ndeshjes europiane të Champions League ndaj PSG në Paris.

Shkodranet do të zbresin në fushën e lojës ditën e sotme me synimin e vetëm për të marrë tre pikët dhe për të vijuar rrugën me objektivin e qartë dhe të vetëm, titullin e 10-të. Ekipi i Vllaznisë në futboll për femra është në kuotën e 15-pikëve aktualisht, duke kryesuar renditjen e kampionatit, së bashku me Tiranën.

Në fakt, shkodranet kanë marrë pesë fitore në pesë sfida të luajtura deri më tani. Prandaj, ato do të kërkojnë të sigurojnë një tjetër fitore, pas atyre që kanë marrë në pesë javët e para, por kësaj herë në një ndeshje “derbi”, siç është kjo ndaj Kukësit.

Nga ana tjetër, edhe ekipi i Kukësit, nuk do të zbresë pa pretendime në fushën e lojës. Kujtojmë këtu që, ky ekip i drejtuar nga Paula Jaku, ka grumbulluar gjashtë pikë deri më tani në tre ndeshje të luajtura.

Ndërkohë, nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se trajneri Nikolin Leka do të lërë pushim disa nga futbollistet titullare për këtë ndeshje, për shkak të përballjes së Champions League ndaj PSG të mërkurën. Nga ana tjetër, trajnerja Jaku do t’i ketë të gatshme të gjitha futbollistet titullare për këtë ndeshje që konsiderohet relativisht e vështirë për ekipin e drejtuar prej saj.

Gjithsesi, do të jetë fusha e lojës ajo që do të vendosë për rezultatin përfundimtar të kësaj përballje. Ndeshja Vllaznia-Kukësi në futboll për femra do të luhet ditën e sotme në fushën “Reshit Rusi” të qytetit të Shkodrës, duke nisur nga ora 12:00.
Maringlen ZHIVANI