Shumë mund, shumë djersë e lodhje në stërvitje dhe duket se tashmë ka ardhur momenti për të marrë frutet e kësaj pune të bërë. E kemi fjalën për ekipin e hendbollit të meshkujve të Vllaznisë i cili pasditen e së dielës ka shumë shanse që të kurorëzohet kampion i Shqipërisë.

Një titull që do të rikthehej në Shkodër pas disa sezonesh mungesë dhe padiskutim që kjo do të ishte mëse e merituar sepse trajneri Artan Durra ka sakrifikuar jo pak, bashkë me sportistët e tij.

Ata kanë fituar finalen e parë në Elbasan dhe nesër në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” i ka të gjitha shanset që të kurorëzohet kampione.

Ndeshja do të startojë në orën 17.00 dhe pritet që në shkallët e pallatit të sportit të ketë shumë sportdashës për të mbështetur ekipin kuqeblu në këtë moment festiv të tij.

Vllaznia ka fituar një javë më parë 20-16 në Elbasan, çka do të thotë se ekipi shkodran po tregon vlera. Ajo për të cilin ka nevojë në këto momente, është mbështetja e tifozëve kuqeblu pasditen e së dielës në “Qazim Dervishi” dhe padyshim që do të ishte diçka shumë e bukur që të gjithë sëbashku pastaj në fund të takimit të festonin titullin kampion të Vllaznisë.
© shkodrasport.com