Kishte javë që ishte projektuar një sukses i tillë megjithatë vetëm sot zyrtarisht Vllaznia e femrave shpallet edhe matematikisht kampione e Shqipërisë për sezonin 2018-2019.

Një titull që vjen një javë para fundit të kampionatit teksa diferenca me Tirana AS, ndjekësen e saj më të afërt, ka shkuar në plot 8 pikë tashmë.

Në ndeshjen e sotme, atë ndaj Bilisht Sport, ekipi shkodran ka bërë detyrën duke fituar me rezultatin 6-0. Edhe në këtë takim, protagonistja kryesore ka qenë sërish Megi Doçi që ka shënuar 5 gola, ndërsa tjetri ka patur për autore sulmuesen Marsela Djegsina.

Vllaznia e femrave në këtë mënyrë është përsëri kampione e vendit dhe titulli i sivjetëm është i gjashti rradhazi për të. Po aq ka fituar edhe Kupa të Shqipërisë, çka e çon në 12 numrin e trofeve që ky ekip ka fituar në këto 6 vite të ekzistencës së tij.

Pavarësisht se vajzat kuqeblu e kanë siguruar që sot titullin kampion, festa do të zhvillohet javën e ardhshme pas ndeshjes së fundit të kampionatit, asaj me Tirana AS.
© shkodrasport.com