Faza e dytë e kampionatit është mbyllur me një tjetër disfatë për ekipin e basketbollit të meshkujve të Vllaznisë, e nënta për të, çka vazhdon ta rendisë në vendin e fundit.

Kuqeblutë e trajnerit Plantak pasditen e sotme kanë luajtur në Tiranë ndaj Partizanit dhe janë mundur në shifrat 75-82. Një humbje që erdhi si pasojë e një loje jo të mirë, sidomos në 20 minutat e para të ndeshjes.

Gjatë tyre, basketbollistët shkodranë kanë gabuar shumë, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje duke e çuar diferencën e pikëve deri në 20 në favor të të kuqve.

Vetëm në 10 minutat e fundit përmirësuan diçka në lojën e tyre megjithatë në momente të caktuara kur rezultati ngushtohej, vinin disa gabime që sërish e thellonin atë.

Përfundimisht, Vllaznia mbyll një fazë shumë negative me vetëm një fitore dhe nëntë humbje, çka ia kanë vështirësuar së tepërmi ecurinë e mëtejshme në kampionat.

Patjetër që presidenti Xhaferi duhet të ndërhyjë sërish në merkato sepse me kontigjentin aktual do të jetë shumë e vështirë për të siguruar qëndrimin në kategori.
© shkodrasport.com