E pafat Vllaznia. Ajo ka pësuar gol vetëm në minutën e 94-të në takimin e luajtur pasditen e së shtunës në Kukës ndaj skuadrës vendase dhe ndëshkuesi i saj është sërish ai, Pero Pejiç. Në këtë mënyrë, kuqeblutë kanë humbur 0-1 ndaj Kukësit në një takim që u duk se do të mbyllej në barazim. Pavarësisht rezultatit, skuadra e drejtuar nga Luan Zmijani edhe në këtë ndeshje ishte një pengesë serioze për njërin prej ekipeve që pretendon të shpallet kampion i vendit. Pjesa e parë ka dhuruar më tepër raste për vendasit të cilët madje kanë arritur të godasin edhe dy herë shtyllat me anë të Zeqirit dhe Hoxhës por pa e dërguar dot topin në rrjetë. Gjatë kësaj pjese loje, edhe Vllaznia do të rrezikonte në një moment me anë të Gilman Likës. Në të dytën, do ishte sërish Lika që do rrezikonte në një moment portën kukësiane me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone por vetëm kaq. Lojtarët e saj janë kthyer në mbrojtje të rezultatit dhe e bëjnë këtë gjë mjaft mirë deri në minutën e 94-të por pikërisht në këtë minutë, Pero Pejiç do shfaqej krejtësisht i lirë fare pranë vijës fatale të portës dhe nuk do ta kishte të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë. Kaq do mjaftonte që Kukësi ta fitonte këtë ndeshje ndërkohë që Vllaznia mjaftonte me një tjetër paraqitje të mirë por pa arritur dot të marrë pikë.

© shkodrasport.com