Vllaznia është në javët e fundit të përgatitjeve për sezonin e ri. Shkodranët vijojnë çdo ditë me stërvitjet ndërsa në plan janë edhe miqësoret. Nga ana tjetër edhe skuadra duket se ka marrë formën e plotë, ku thuajse çdo rol është i dubluar në fushën e blertë.

Duke nisur që nga porta ku përveç Qarrit, në sezonin e ri do jenë edhe Mehidri dhe Jukaj. Në mbrojtje nga e djathta do kenë detyrën të mbulojnë Smajli dhe Dragoshi. Në qendër të repartit të prapavijës do jenë Stojanovic, Cheshmjedev, Juric, Spahija dhe Paloka. Ndërsa në të majtë përveç Hakajt, tashmë do jetë edhe Asani.

Në mesfushë Krymi duket se ka kompletuar totalisht këtë repart. Ku përveç tij do jenë edhe Boshnjaku, Alivoda dhe Sala e Delaj. Nga krahët e sulmit përveç lojtarëve të sezonit të shkuar si: Mala, Çoba do jenë edhe Gruda e Dodev të afruar në merkaton e kësaj vere. Lojtari ndaj të cilit duket se mungon dublimi është Bekim Balaj.

33-vjeçari është i vetmi sulmues aktual në rozën e kuqebluve. Pavarësisht se këto ditë pritet edhe afrimi i një lojtari tjetër në këtë repart. Skuadra duket drejt kompletimit total dhe tifozët presin ndoshta edhe ndonjë surprizë tjetër deri në fundin e merkatos.
Endri ÇINARI