Pavarësisht se ende nuk kanë dhënë as një shenjë të nisjes së punës për sezonin e ri, drejtuesit e klubit po mendojnë fillimisht për lojtarët që kanë në ekip. Një nga më të lakuarit për t’u larguar nga kjo skuadër gjatë sezonit të shkuar ka qenë portieri Alen Sherri. Ai ka një kontratë deri në fund të këtij sezoni me Vllazninë.

Pavarësisht se në Kategorinë e Parë, ai e justifikoi plotësisht veten duke pësuar vetëm 8 gola në 21 takime që u aktivizua. Ky është një shqetësim për klubin, i cili kërkon që të ketë në gjirin e vet për sezonin e ri një nga pikat më të forta të tij.

Me të drejtë, ata e quajnë sezonin e ri si sezonin e shpërthimit të vlerave të vërteta të Sherri. Nisur nga dëshira për të pasur shërbimet e portierit shtatlartë, mësohet se ndërtimi i skuadrës do të nisë pikërisht nga kontrata e Sherrit. Drejtuesit kërkojnë që ta kenë të tyrin lojtarin.

TË TJERËT – Pjesës dërrmuese të lojtarëve kuqeblu i përfundon kontrata në këtë fund sezoni. Ata kanë pasur një rinovim të kontratës së tyre në fillim të sezonit, por duke lënë të hapur edhe mundësinë e vazhdimësisë. Por, me rikthimin e skuadrës në Superiore, edhe kërkesat e lojtarëve do të rriten sidomos në aspektin financiar.

Kjo do të bëjë pse jo që të ketë edhe një rishikim tjetër të kontratave të tyre. Gjithsesi, drejtuesit e klubit nga ana tjetër do të shikojnë edhe mbi objektivat që kanë në këtë sezon dhe për më tepër për të bërë edhe seleksionimet që do të bëhen për të gjithë lojtarët.