Ndeshja e rradhës për ekipin e Vllaznisë do të luhet ditën e shtunë në orën 17.00 në Lezhë ndaj Besëlidhjes. Një takim që po vlerësohet maksimalisht në kampin shkodran. Stafi teknik dhe futbollistët kanë analizuar takimin e fundit me Dinamon që e humbën në shifrat 0-2 javën e kaluar dhe kanë nxjerrë mësimet e duhura prej tij.

Një ndeshje që nuk është interpretuar në mënyrën e duhur nga kuqeblutë të cilët ndoshta nuk shfaqën dëshirën dhe egon e duhur në fushën e lojës. Por për të mos ndodhur kështu edhe në ndeshjen e ardhshme me Besëlidhjen, pritet që skuadra të ndryshojë mënyrën e të luajturit.

Vllaznia pritet të luajë sërish me formacionin e saj më të mirë edhe në këtë ndeshje ndonëse ka mungesa përsëri. Nderkohe nga kampi lezhjan vijnë deklarata shumë optimiste për një fitore të tyre ditën e shtunë. Vllaznia megjithatë pavarësisht mungesave do të tentojë të fitojë këtë takim sepse i duhet për moral mbi të gjitha.

Pas dy javësh ajo do të luajë ndeshjen finale ndaj Bylisit dhe trajneri Canaj është duke tentuar ta mbajë skuadrën të ingranuar. Një finale që vlen edhe për moral sepse fitohet titulli kampion i kategorisë së parë, por edhe fitohen 30 milionë lekë të vjetra që është shpërblimi i vendosur nga Federata Shqiptare e Futbollit për ekipin kampion të kësaj kategorie.
© shkodrasport.com