Vllaznia nuk do të ribëhet nga e para. Nëse vjet u morën njëherazi mbi 10-futbollistë, klubi këtë herë synon që të mbajë një pjesë të mirë të organikës. Klubi i Vllaznisë ka tashmë një listë me emrat e atyre që mendon t’i ketë në gjirin e saj për sezonin e ardhshëm, të paktën deri më tani.

Kështu, Bojan Zogoviç është menduar të jetë titullari i portës kuqeblu sërish edhe për sezonin e ri. Drejtuesit gjykojnë se Zogoviç, falë përvojës së gjatë që ka, është njeriu i duhur për t’i besuar kuadratin e portës.

Për repartin e mbrojtjes, sipas burimeve të “Shkodra Sport” pranë klubit shkodran, është menduar që të qëndrojnë Erdenis Gurishta, Darko Bulatoviç dhe Esin Hakaj. Tashmë siç dihet, janë të gjithë futbollistë në kontratë me Vllazninë. Në fakt, Bulatoviç dha prova se është në nivelin e duhur për Vllazninë, ndërkohë që pritet të afrohet një mbrojtës qendre me përvojë.

Në planet e klubit, është edhe mesfushori i njohur Fjoart Jonuzi. Kuksiani rinovoi kontratën pak ditë më parë dhe tashmë mbetet për t’u parë përformanca e tij në vijim, pas dy sezonesh të shkëlqyera me shkodranët. Jonuzi shihet nga drejtuesit e Vllaznisë, si një nga futbollistët me përvojë që mund të udhëheqin skuadrën drejt kthimit te suksesi, ashtu siç preferojnë ta quajnë ata.

Edhe në repartin e sulmit, pak futbollistë mund të qëndrojnë. Braziliani Kaina është një nga të preferuarit e klubit për të vazhduar bashkëpunimin, pas gjashtë muajsh pozitiv me Kastriotin. Ai nuk u preferua nga trajneri Brdariç në fazën e parë, por tashmë shihet si një element i rëndësishëm. Edhe Ante Aralica do të qëndrojë.

Me siguri, Vllaznia do të afrojë një qendërsulmues me kualitet, që të garantojë golat për rikthimin e shpejtë te suksesi.
Maringlen ZHIVANI