Vllaznia e këtij sezoni është formatuar krejt ndryshe nga ajo e mëparshmja. Thuajse 60-70 për qind e ekipit është rinovuar teksa kanë ardhur lojtarë të rinj me të cilët pritet që ai të ketë të tjera pretendime.

Nëse një sezon më parë, gjërat u bënë pak me vonesë dhe po ashtu bëhej fjalë për një ekip të kategorisë së parë, këtë herë ka patur jo pak ndryshime.Administratori i klubit Suad Lici, në bashkëpunim me drejtorin sportiv Engin Firat dhe trajnerin Mirsad Jonuz kanë zgjedhur lojtarët me të cilët ndërtuar skuadrën e këtij sezoni.

Të ardhurit janë nga vende të ndryshme të Botës duke filluar nga Brazili, Uganda, Moldavia, Maqedonia e për të vazhduar edhe me disa të tjerë të kampionatit shqiptar.

Administratori Lici ka deklaruar herëpashere se ky ekip mund të pretendojë të arrijë Kupat e Europës në fund të sezonit, ndërsa trajneri Jonuz është shprehur disi më i matur duke thënë se punët do të bëhen ngadalë dhe objektivi do të shfaqet më vonë.

Nga ana tjetër drejtori Firat me përjashtim të ndonjë publikimi në rrjetet sociale, ende nuk është shprehur publikisht në lidhje me Vllazninë e këtij sezoni por ka bërë të ditur se shpenzimet e sivjetme janë shumë më të ulëta sesa të atij ekipi që dy sezone më parë ra nga Superliga.

Që do të thotë se sivjet është shpenzuar më pak dhe sipas tij janë zgjedhur lojtarë më cilësorë. Kjo tashmë mbetet për t’u vërtetuar. Fillimi i kampionatit po tregon se Vllaznia do jetë dinjitoze pavarësisht kohës së pakët që ka patur në dispozicion për t’u ndërtuar.
© shkodrasport.com