Mesfushori shqiptar i Espanyolit, Keidi Bare ka dhënë një intervistë për SuperSport në prag të derbit ndaj Barcelonës, i planifikuar për të dielën në mbrëmje, duke nisur nga ora 21:00.

Bare deklaroi se Espanyoli i ka mundësitë për të siguruar mbijetesën në La Liga dhe kërkoi përqendrim maksimal në derbi, teksa nuk ngurroi të flasë edhe për kombëtaren shqiptare e trajnerin Sylvinho.

Ka qenë një sezon jo normal për ju, pasi keni qëndruar shumë kohë jashtë fushave. A ju motivon më tepër ky kalvar dëmtimesh?
Kanë qenë ditët apo muajt më të vështirë që kam kaluar, pasi ishte hera ime e parë që operohesha dhe kam vuajtur jo pak. Më e rëndësishmja është që tani jam në fushë dhe po rikuperohem gradualisht. Kam shumë dëshirë të ndihmoj ekipin.

E keni nisur nga Polonia dhe tani keni shumë eksperiencë në La Liga e do të luani ndaj Barcelonës. Goxha rrugë e bërë nëse kthen kokën pas…
Kthej kokën mbrapa dhe shoh sakrificat që kam bërë, pasi e kam nisur në Shqipëri me Apoloninë. Të luash në një nga ligat më të mira në botë është arritje e madhe dhe shpresoj të vazhdoj kështu.

Fund sezoni i vështirë për Espanyol. A do t’ia dilni të siguroni mbijetesën?
Besoj dhe jam i bindur që do t’ia dalim, pasi kemi kualitetin e duhur. Tani duhet të lëmë fjalët mënjanë dhe të tregojmë cilësitë në fushë për të marrë pikët që na duhen, që nga ndeshja e radhës ndaj Barcelonës. E dimë që është një kundërshtar i vështirë, por nëse bëjmë lojën tonë, e sigurt që do të marrim rezultat.

Në mars munguat në Kombëtare. A keni folur me Sylvinhon dhe si e prisni grumbullimin në ndeshjet e radhës në qershor?
Kam kontaktuar me Sylvinhon dhe Zaballettën, pasi të dy kanë ardhur këtu në Barcelonë, kemi folur shumë gjatë dhe mezi po pres të kthehen në Kombëtare.

Cila është dëshira më e madhe që kërkon të realizojë Bare në karrierë?
Dëshira më e afërt është ajo e mbijetesës në La Liga me Espanyolin.