Vetëm tre mbrojtës në histori kanë mundur të fitojnë “Topin e Artë” dhe njëri ndër ta është ish-kampioni i botës me Italinë në vitin 2006, Fabio Kanavaro. Tashmë në moshën 49 vjeç “il capitano” (Kapiteni) ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën spanjolle “AS”, ku ka folur për Realin e Madridit, Napolin dhe jo vetëm.


Reali i Madridit është sërish një hap larg një tjetër finaleje në Champions…

Po, por mendoj se është bërë një histori gati e përvitshme! E kam ndjekur me kërshëri takimin e parë ndaj Mançester Sitit. Ishte një ndeshje e luajtur mjaft mirë nga të dyja skuadrat. Barazimi lë gjithçka të hapur për takimin e kthimit në Mançester. Rezultati është vërtet i hapur, por në princip më pozitiv për Mançester Sitin.


Mendoni se skuadra e Guardiolës është më e favorizuar për në Stamboll?

Shikoni, unë e mendoj ndryshe. Duke e njohur Realin e Madridit, siç e njoh unë, dhe duke qenë se ju e dini në mënyrë të përsosur në Spanjë, jam i bindur se ata do të shkojnë në Mançester për të fituar, duke përdorur gjithmonë armët e tyre.


Kështu që?

Për shkak të mënyrës se si luajnë skuadrat e Ançelotit jashtë fushe, unë e shoh këtë si një armë që e bën Realin e Madridit favorit për ndeshjen e dytë. Shpresoj se ata mund të kualifikohen në një tjetër finale të Champions League.


A e prisnit që pas një periudhe delikate në La Liga, Reali mundi të kalonte Liverpulin, Sitin dhe tani po garon ashpër me Sitin?

Të them të drejtën nuk e prisja që Reali të shkonte kaq larg. Por kur kthehesh prapa dhe mendon se po flasim për Realin e Madridit. Në La Liga vërtet punët nuk i shkuan dhe aq mirë, por mos harroni se marrëdhënia që ka Reali me Ligën e Kampioneve është e veçantë.

Nuk besoj se Liga e Kampioneve është një kompeticion i lehtë?

Natyrisht që jo, por ata kanë një trajner që, në heshtje, gjithmonë përfundon të fitojë diçka. Ançeloti është një fenomen në këtë drejtim dhe, për këtë arsye, në fund Reali gjithmonë përfundon duke i trembur rivalët e tyre në gjysmëfinale.


Siti në këtë sezon duket i pandalshëm.Vërtet besoni se ata i druhen Realit?

Nuk ka rëndësi, nëse nuk do të kishte qenë Siti, përballë Realit do të kishte qenë Bajerni. Çështja është se Reali nuk shqetësohet shumë nga rivali që ka përballë kur vjen puna në Champions. Qartësisht Siti është një skuadër e shkëlqyer, me një nga trajnerët më të mirë në botë… Por kur flasim për Ligën e Kampioneve ka vetëm një emër, Real Madrid.

Nëse Madridi do të shkojë në finale atje do ta presë një skuadër italiane, Interi ose Milani. Për ju do të ishte e vështirë të zgjidhnit mes Realit dhe një italianeje?

Për këdo që e njeh futbollin, asnjëherë nuk është e lehtë të luash përballë klubeve italiane. Por për momentin që flasim lojtarët e Realit qëndrojnë më lart në shumë drejtime: në Madrid ka më shumë cilësi, më shumë eksperiencë… Dhe në një finale në Champions këto dy cilësi që përmenda janë shumë të rëndësishme.

Ju jeni një ekspert i fushës. Si ju duket mbrojtja e Realit?

Në Madrid ka një jetë që flitet për këtë. Kur skuadra fiton dhe për më shumë e bën me lojë të bukur, thuhet se Reali ka mbrojtësin më të mirë në botë. Militao është paraqitur vërtet shumë mirë, por kam diçka për të thënë.

Po mund të na e thoni…

Rydiger ka bërë një paraqitje të shkëlqyer të martën. Kur një ekip mbrohet mirë, nuk është vetëm për shkak të një paraqitjeje individuale. Do të thotë se në një ekip të tillë është punuar mirë dhe Reali i Ançelotit është i tillë. Por po, më pëlqen Militao. Më pëlqen qetësia që ka ai, luan me shumë besim, di të ndërhyjë me forcë dhe është shumë i fuqishëm si në hapësira të reduktuara ashtu edhe në fushë të hapur. Po, më pëlqen shumë ky sezon. Ai nuk mund të luante të martën, por do të jetë gati për rikthimin.


Jeni nga të paktët mbrojtës që keni fituar Topin e Artë. Si një ish-mbrojtës legjendar a mund të na jepni një recetë si mund të ndalet Viniciusi?

Viniciusi nuk ndalet. Me Viniciusin, kur e ke atë shpejtësi përballë, duhet vetëm të lutesh (qesh). E vetmja mënyrë për ta ndaluar është të kesh ndihmën e një shoku të skuadrës, sepse nëse jo, kur ai përballet me ty një për një, mënyra e tij e driblimit dhe shmangies është e pabesueshme.

Debati nëse ai është futbollisti më i mirë në planet është tashmë në botën e futbollit. Çfarë mendoni ju?

Nuk e di nëse ka arritur në atë nivel që ta konsideroj si më të mirin në botë. Ajo që është evidente mendoj se është përmirësuar shumë. Dhe në këtë ecuri spektakolare që ka pasur kohët e fundit, është një person që ka bërë diferencën me brazilianin.

Për kë e keni fjalën?

Ai është Ançeloti. Trajneri është ai që i ka dhënë qetësinë me të cilën po shihet duke luajtur tani. I ka dhënë atij qetësi për të provuar gjërat, besimin se ai mund të ndihet i sigurt dhe të thotë: “Unë jam një lojtar i fortë në këtë ekip, i aftë të bëj çfarë të dua në fushë për të fituar çdo ndeshje”.

Gjithsesi Ançeloti nuk do të qëndrojë gjatë në skuadër dhe një ditë stoli duket se do t’i kalojë një legjende dhe mikut tuaj Raul… Mendoni se është gati?

Hapi i radhës në karrierën e tij sportive me siguri do të jetë kalimi në një ekip të parë pas kësaj eksperience te Kastilja. Nuk e di nëse e ka në planet e tij për të drejtuar Realin, sepse ka shumë nga ata që mendojnë se është më mirë të punojnë me të rinjtë.