Kampionët aktual të Botës kërkojnë fitoren e parë në Rusia 2018.

​Që nga viti i largët 1962, kur Brazili i Peles arrinte të mbronte titullin e fituar më 1958, asnjë kombëtare tjetër nuk ka mundur të shpallet dy herë rresht kampion i botës.

Madje në tre nga katër Botërorët e fundit, kampioni i Botës është eliminuar qysh në fazën e grupeve.

E fillojmë me Francën, e cila në vitin 2002 vinte si kampione e Botës dhe Evropës, me një ekip të mbushur me yje, por u eliminua nga faza e grupeve ku bënin pjesë, Senegali, Danimarka dhe Uruguai.

Të njëjtin fat e pati edhe Italia më 2010 në Botërorin e Afrikës së Jugut, ku nuk arriti të fitonte asnjë ndeshje, ndonëse në grup kishte, Paraguain, Zelandën e Re dhe Sllovakinë.

Katër vite më vonë në Brazil, zhgënjeu Spanja, që vinte si kampione e Botës dhe dy herë rresht fituese e Kampionatit Evropian.

Spanjollët fillimisht u deklasuan nga Holanda 1-5 dhe më pas nga Kili 0-2, duke u përshëndetur nga Botërori shumë më herët sesa që pritej.

Botërorin e vitit 2014 e fitoi Gjermania duke e mposhtur në finale Argjentinën, por edhe panzerët e kanë nisur mbrapshtë mbrojtjen e titullit, duke pësuar nga Meksika në ndeshjen e parë.

Tani skuadrës së Joachim Low i duhet të fitojë me çdo kusht ndaj Suedisë, për të mos përsëritur gabimet e mëhershme të kampionëve të Botës.

Përveç Suedisë, gjermanët në ndeshjen e fundit do të takohen me Korenë e Jugut.