Bledar Gjeçaj nuk do të jetë më trajneri i ekipit të Vllaznisë në basketboll për meshkuj, pasi nga dita e sotme do të drejtojë skuadrën e femrave të klubit shkodran.

Ndërsa vendin e tij te meshkujt do ta zërë Refik Vorfa.

Këto lëvizje trajnerësh te klubi Vllaznia janë zyrtarizuar sot nga drejtuesit shkodranë, që kanë vendosur t’i japin një impuls të ri këtij sporti, duke bërë këto ndryshime në stafin drejtues të dy ekipeve të basketbollit.

Sezonin e fundit, të dyja ekipet e Vllaznisë në basketboll nuk dhanë atë që pritej në kampionat, duke mos kapur dot zonën e play off-it, madje duke rrezikuar edhe rënien nga kategoria, siç dhe ndodhi me meshkujt, që luajtën në play out.

Për këtë arsye u vendos që të ketë disa lëvizje në stafet drejtuese, për t’i dhënë një shkundje këtij sporti nga përgjumja e vitit të fundit.

Pritet që ekipet e të rriturve të përforcohen me elementë nga ekipet e moshave, për të nisur një cikël të ri.