Vllaznia duket se po krijon shumë shpejt varësi tek një nga futbollistët e saj. Kështu, bëhet fjalë për mesfushorin Herald Marku, i ardhur në merkaton e verës nga ekipi i Partizanit, me synimin për të bërë liderin në mesfushë tek shkodranët.

Deri më tani, ai është aktivizuar në tetë takime në kampionat, shtatë prej të cilave si titullar. Mesfushori shkodran ka shënuar katër gola në fitoret me Kukësin, Tiranën në transfertë dhe Bylisin në “Loro Boriçi”, por ka realizuar edhe në barazimin në Laç.

Realisht, Marku i ka dhënë një tjetër impuls fazës ofensive, edhe pse është një mesfushor, duke lënë kështu në hije edhe dy sulmuesit e tjerë, Ante Aralica dhe Kaina.

Në ndeshjet e fundit të shkodranëve, duket se sulmi rrotullohet vetëm rreth Markut, aq sa edhe në sfidën e fundit me Bylisin, goli i parë i ndeshjes erdhi nga këmbët e tij pas një gjuajtje drejt portës, teksa mesfushori njihet për goditjet e tij nga distanca, por jo vetëm.

Me pak fjalë, në Shkodër për momentin i kanë varur shpresat te një futbollist, siç është Herald Marku që të zgjidhë ndeshjen dhe kur ai nuk është në formën e tij më të mirë ose i pafat, skuadra vendos në rrezik edhe marrjen e rezultatit pozitiv.

Tashmë që, Vllaznia do të ketë përballë Erzenin dhe për më tepër me një lojë që është studiuar nga rivalët, trajneri Josa po kryen lëvizje të ndryshme në futbollistë dhe skema gjatë këtyre ditëve, në mënyrë që të gjejë një zgjidhje në rast se mesfushori do të “izolohet” nga mbrojtësit shijakas.
Maringlen ZHIVANI