Një nga lojtarët më të mirë të kampionatit tonë gjatë këtij sezoni, është padyshim kosovari Liridon Latifi. Ai është njeriu i momentit te Vllaznia, por jo vetëm kaq, sepse ai është një nga futbollistët më të mëdhenj të këtyre viteve të fundit në kampionatin shqiptar.

Me 10 gola të realizuar, por edhe 5 assist, ky është një ndër sezonet më të mira të Liridon Latifit. Rrjeta e tij e fundit ndaj Dinamos, u bë ndihmesë për Vllazninë, teksa skuadra e Brdariç mori tre pikë shumë të çmuara.

Në fakt, nëse dikush do të rikthehej në Shqipëri, që pas Skënderbeut të kohëve të arta, padyshim do të thoshte: Latifi i korçarëve është ai? Çfarë sfidash po zhvillon anësori i shkodranëve. Në çdo ndeshje që luan, ai është i pandalshëm gjatë gjithë 90 minutave.

Deri në fund të sezonit, janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur dhe te Vllaznia kërkojnë të përfitojnë sa më shumë nga cilësitë e Latifit.

Me meritë, ai është një ndër lojtarët me më shumë minuta në këmbë te shkodranët gjatë këtij sezoni, ndërkohë që nuk duhet harruar kurrsesi fakti që Latifi me golat e tij, i ka dhënë shumë pikë Vllaznisë në këtë sezon.

Nga tani dhe deri në fund të sezonit, Latifi do të kërkojë të shfaqë anën më të mirë të repertorit të tij dhe nga kjo do të përpiqet të përfitojë Vllaznia, që synon Europën dhe të fitojë Kupën e Shqipërisë. Sa herë që ai shënon, Vllaznia merr pothuajse gjithmonë tre pikët ose i shkon shumë afër fitores.

10 gola, nuk janë shumë për një futbollist me cilësitë e tij, por nëse Vllaznia është ende në vallen e titullit, një meritë të padiskutueshme, e ka pikërisht Liridon Latifi.

Maringlen ZHIVANI