Pavarësisht se është kundërshtar tjetër sot në fushë, Vllaznia duket se do të luajë me të njëjtin formacion. Si të enjten që shkoi ndaj Kukësit, ashtu edhe këtë herë ndaj Partizanit, trajneri Cungu do të hedhë në fushë të njëjtin 11-sh. Që do të thotë se në portë do të jetë sërish malazezi Agoviç që perballë kukësianëve ishte ndër më të mirët. Përpara tij do të jetë katërshja e mbrojtjes, e përbërë nga Gocaj në të djathtë, Cicmil e Bicaj në qendër dhe Marku në të majtë. Para tyre do jetë Krymi e Bardulla ndërsa në krahë, pak të avancuar do luajnë Hoxha dhe Shtubina. Tafili e ka fituar edhe këtë herë “duelin” me kroatin Weitzer dhe do ta nisë ai nga minuta e parë.
Në majë të sulmit serish do të luajë lushnjari Pepa. Paraqitja e mirë që këta lojtarë bënë në ndeshjen e para katër ditëve, ka bërë që trajneri t’u besojë sërish atyre. Madje nga sa merret vesh, edhe në stolin e rezervave do të jenë të njëjtit futbollistë si ndaj Kukësit. Skuadra shkodrane ka udhëtuar që pasditen e djeshme drejt Elbasanit dhe objektivi i saj tashmë është i qartë: marrja e pikëve. Tashmë mbetet të shohim vetëm se si do ta interpretojnë kuqeblutë ndeshjen në fushën e lojës.
© shkodrasport.com