Pavarësisht ndonjë dyshimi të lindur pas përplasjeve në mes kryeministrit Rama dhe kryebashkiakes Ademi sa i takon vendit të parkingut rreth e qark stadiumit të Shkodrës, ndeshja e shumëpritur Shqipëri- Spanjë do të luhet në “Loro Boriçi” më datë 9 tetor në orën 20.45 minuta. konfirmimi për këtë vjen nga faqja zyrtare e Federatës Shqiptare të Futbollit sipas së cilës mësohet se ka nisur shitja online e biletave të kësaj ndeshje. biletat për momentin janë duke u shitur vetëm për grupimin “tifozët e kombëtares” dhe kjo procedurë do të vazhdojë për ta deri më datë 16 shtator sepse më pas, do të nisë shitja e lirë e biletave për të gjithë sportdashësit që duan të jenë të pranishëm në këtë ndeshje të madhe.

Në këtë mënyrë tashmë Shkodra duhet të bëhet gati për një festë të vërtetë. Fillimi i muajit tetor do të sjellë në këtë qytet një nga ekipet më të mira të Europës dhe Botës dhe kjo duhet t’i gëzojë të gjithë. Arsyeja e kësaj përzgjedhje nga ana e Federatës sigurisht që ka të bëjë me kapacitetin më të madh të këtij stadiumi në krahasim me atë të Elbasanit dhe kjo ka bërë që edhe problemi i parkingut të anashkalohet. Mbase, nëse palët do ishin ulur në tavolinë për të biseduar, mund të ishte gjetur edhe zgjidhja më e mirë për këtë, por kryeministri Rama mesa duket preferoi “shoun” në prag të ndeshjes miqësore me Marokun, duke debatuar me kryebashkiaken Ademi. Në fakt, përderisa nisja e punimeve në këtë stadium është bërë pa i marrë leje askujt në Shkodër, atëherë normalisht që edhe problemin e parkingut apo prishjen e banesave rreth e qark stadiumit, duhet ta marrë përsipër vetë Qeveria. gjithsesi ky është një problem që do të zgjidhet në vazhdim. E  rëndësishme është që ndeshja Shqipëri- Spanjë do të luhet më datë 9 tetor në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

© shkodrasport.com