Vllaznia mbylli 180-minuta në Europë me rezultate disi zhgënjyese. Një barazim 1-1 dhe një humbje 3-0. Kështu, janë katër gola të pësuar dhe vetëm një i shënuar. Shumë pak për një Vllazni që kërkonte maksimumin e mundshëm. Në fakt, përtej shifrave, problemi është se si shkoi Vllaznia, cili e kaloi klasën dhe cili jo.

Për ta nisur nga porta me Zogoviç, që luajti në të dy ndeshjet dhe u paraqit mirë. Deri diku, i mbajti në lojë pothuajse në të gjithë pjesën e parë në ndeshjen e kthimit në Rumani. Ndoshta bëri një gabim në këtë sfidë me Kraiovën në pjesën e dytë në njërin prej golave, por ai ishte një ndër më të mirët e skuadrës.

Nga katërshja e mbrojtjes, kalojnë klasën kapiteni Gurishta, Bulatoviç dhe Juriç, që është pak fajtor në ndeshjen e parë apo edhe në të dytën, por përgjithësisht tregoi që do të jetë një pikë e fortë në mbrojtje për kampionatin e ri.

Kritika nga analistët kanë ardhur ndaj mbrojtësit të krahut, Esin Hakaj. Ai luajti më mirë në sfidën e fundit, por në sfidën tjetër është kritikuar. Në dy ndeshjet me Kraiovën, Hakaj nuk shtyn shumë përpara, ndryshe nga ai mbrojtësi i krahut të majtë, që është parë gjithmonë.

Për të kaluar tek mesfusha, përveç Lorik Boshnjakut që ishte i jashtëzakonshëm në paraqitjet e tij, Fjoart Jonuzi, Elvedin Heriç apo edhe Herald Marku nuk e kanë kaluar klasën. Paraqitja e tyre nuk ka qenë në nivelin e klasit që kanë.

Në ndeshjen e parë, Marku ndryshoi disi lojën me aktivizimin e tij në fushë, por në ndeshjen e dytë ishte pothuajse inekzistent në fushën e lojës. Gjithsesi, paraqitja e tyre për Europën, nuk është në nivelin e asaj që kanë treguar në kampionat.

Në sulm, Kaina Nunesh është padyshim më i miri, me shumë duele të fituara prej tij. Megjithatë, i mungon goli. Hoxhaj është gjysmë i shpëtuar, pasi në ndeshjen e parë ka shënuar golin e barazimit.

Për sa i përket Aralicës, sulmuesi kroat është zhgënjimi i vërtetë i Vllaznisë, sepse “pyka” nuk bën pothuajse asgjë. Klasën nuk e kanë kaluar as Kruja dhe as Çoba. Megjithatë, ky i fundit sikur ka fituar besimin e trajnerit Josa dhe ndoshta pak nga pak mund të jetë një futbollist i fituar në sulmin e Vllaznisë.

Ndërkohë, për momentin nuk ka futbollistë të tjerë në qarkullim që mund të jenë pjesë e Vllaznisë. Poashtu, përveç merkatos, duhet të shihen edhe blerjet e kuqebluve që nuk luajtën fare ose luajtën vetëm pak minuta, siç janë Dajan Shehi dhe Kristijan Vulaj, që ende nuk kanë lënë gjurmë te Vllaznia.

Maringlen ZHIVANI