Agustin Torasa i fiton Tiranës në FIFA 38500 euro si detyrime të prapambetura. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se dhoma e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në FIFA ka publikuar vendimet e radhës ku binte në sy edhe çështja mes KF Tiranës dhe sulmuesit argjentinas. Lojtari që qëndroi për dy sezonet me bardheblutë para disa muajsh ka hedhur në gjyq KF Tiranën, duke kërkuar 74100 euro dëmshpërblim.

Pas disa muajsh, në shkurt 2022, FIFA ka vendosur që t’i japë pjesërisht të drejtë lojtarit argjentinas. Gjatë gjyqit, Torasa ka kërkuar siç thamë më lart, më shumë se 74 mijë euro, ndërsa Tirana nga ana e saj në gjyq ka pranuar 21900 euro detyrime, ndërsa ka deklaruar se lojtari ka marrë 10102 euro si pagesë nga Bashkia e Tiranës më 26 nëntor 2019 që korrespondon me 5000 euro si bonus kampionati dhe 5102 euro si pagë e janarit 2020 deri në prill 2020 dhe 4000 euro të marra më 27 shtator 2021 si pagesë e lidhur me marrëveshjen.

Në diskutime, lojtari ka pranuar që ka marrë disa para nga Tirana, por nuk është tërhequr për të tjerat. Pas shumë diskutimesh, komisioni juridik i FIFA-s i ka dhënë të drejtë Torasës duke e shpërblyer me 38500 euro + 5% interes nga dita e mospagimit të parave.

SI U LARGUA – Agustin Torasa ndau rrugën me kampionët e Shqipërisë qershorin e 2021-shit. Historia ka qenë pak a shumë e njëjtë. Lojtarit i është kërkuar përgjysmimi i rrogës.

Asokohe argjentinasi Agustin Torasa nga ana e tij ka sqaruar vendimmarrjen që ka bërë së bashku me klubin bardheblu. Argjentinasi më pas u shpreh se mbeti i zhgënjyer, pasi shpresonte që të rrinte te Tirana.

VAIRINEN – Për bardheblutë, Agustin Torasa është një prej çështjeve në FIFA. Skuadra bardheblu para disa kohësh ka apeluar vendimin e FIFA-s që i jep të drejtë lojtarit finlandez, duke detyruar Tiranën që të paguajnë 123 mijë euro.

Juristët e studios që ndjekin çështjen janë të bindur se Tirana do të paguajë edhe gjysmën e vlerës që ka fituar Vairinen në Disiplinën e FIFA-s. Nga ana tjetër, Tirana ka kërkuar në KAS Lozanë pezullimin e dënimit për bllokimin e merkatos për të gjitha çështjet sportive që ka humbur në “dhomën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve botërore”.