Merkato e Vllaznisë duket shumë aktive në këto momente kur ende jemi në fillimin e saj. Lëvizjet në kampin shkodran kanë qenë të shumta duke pasur afrime si: Gruda, Sala apo Dodev e ndërsa ka pasur edhe largime me peshë. Të tillë janë emrat si: Latifi, Gurishta dhe Shehi që kanë mbajtur peshën në sezonet e fundit.
Por ende ekipi shkodran duket se po punon sidomos për të përforcuar repartin e mbrojtjes dhe një nga emrat më të përfolur së fundmi është ai i Milos Stojanovic.
Qendërmbrojtësi që mbylli sezonin me Kastriotin është një preferencë e drejtuesve kuqeblu, por me sa duket edhe e trajnerit Memelli që preferon skemën me 3 mbrojtës.
Dhe futbollisti serb duket shumë i përshtatshëm për këtë skemë të ish-sulmuesit të njohur. Stojanovic ka dy sezone që aktivizohet në futbollin tonë, ku ka qenë pjesë e Bylis dhe në edicionin e fundit pjesë e Kastriotit. Ai ka spikatur me lojën e tij duke treguar se vjen nga një shkollë e njohur e futbollit në Ballkan siç është ajo e Crvena Zvezdas.
Ku në fillimet e tij, Stojanovic cilësohej si një nga premtimet e mëdha të futbollit në Serbi. Sot në moshën 26-vjeçare, fati e ka sjellë në Shqipëri.
Dhe me 34 ndeshje të luajtuara në sezonin 2022-23 me Kastriotin ku ka shënuar 1 gol dhe asistuar po një tjetër, shtarlarti serb mund të jetë afrimi i rradhës tek kuqeblutë në këtë merkato.
Endri ÇINARI