Vllaznia aktuale është ende larg rezultateve të sezonit të kaluar. Nëse bëjmë një krahasim pas 13 javëve kampionat, kuqeblutë ishin në krye në sezonin 2020-2021 me 29 pikë, ku kishin arritur 9 fitore dhe 2 barazime, ndërsa kishin pësuar 2 humbje.
Ndjekësit e shkodranëve ishin tri ekipe me nga 20 pikë dhe pikërisht Partizani, Laçi dhe Teuta, teksa diferenca ishte plot 9 pikë.
Tashmë në kampionatin aktual, Vllaznia jo vetëm që nuk është në vendin e parë, por ka 23 pikë dhe 6 më pak se vjet, duke regjistruar 6 fitore, 5 barazime dhe 2 humbje. Bie në sy numri i lartë i barazimeve, pasi humbjet janë në të njëjtën shifër si vjet.
Në javën e kaluar Vllaznia mori fitoren e dytë radhazi në “Loro Boriçi”, këtë herë ndaj Skënderbeut me shifrat 2-0. Ky ishte triumfi i katërt në pesë ndeshjet e fundit në kampionat për kuqeblutë, që kanë prishur serinë vetëm me barazimin 1-1 ndaj Teutës në “Elbasan Arena”.
Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u zhvilluar, kuqeblutë fillimisht luajnë në transfertë nesër ndaj Dinamos. Ndërsa viti 2021 mbyllet për kuqeblutë me një ndeshje në “Loro Boriçi” kundër Kukësit.