Kanë mbetur edhe pesë javë kampionat dhe tashmë klubet bëjnë llogaritë e tyre. Natyrisht në një kampionat me kaq shumë rivalitet, në fund nuk është aspak çudi që të kemi më shumë se dy ekipe me pikë të barabarta në krye të renditjes.

Dhe nëse ndodh kështu, atëherë do të futet në lojë rregullorja e klasifikimit, e cila e përcakton qartë se kriteri i parë që merret parasysh janë ndeshjet direkte mes ekipeve përkatëse që kanë pikë të barabarta.

Pas takimit të zhvilluar dje në Shkodër mes Vllaznisë dhe Teutës, këto dy skuadra kanë ezauruar këtë kampionat katër përballjet mes tyre. Gjithçka është në balancë të plotë, pikërisht secili ekip ka nga një fitore me shifrat 1-0 dhe dy barazime pa gola (0-0).

Nëse në fund dalin të dyja me pikë të barabarta, kriteri i parë bie në këtë rast, por edhe i dyti sa u përket golave të pësuar dhe të shënuar mes dy ekipeve.

Në lojë futet kriteri i tretë, që ka të bëjë me diferencën e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit. Nëse sot do të përfundonte sezoni, shkodranët e kanë golavarazhin +19 gola, ndërsa durrsakët +17.

Në këto kushte, Vllaznia do të likuidonte Teutën, por kjo mbetet të shihet se si do të lëvizin gjërat në pesë ndeshjet e mbetura. Qoftë shkodranët dhe “djemtë e detit” nuk kanë mbaruar ende punë me Partizanin.

Vllaznia ka një fitore 1-0 dhe dy barazime 0-0 ndaj të kuqve, po një ndeshje të katërt për të zhvilluar në kryeqytet dhe situata mund të ndryshojë. Ndërsa durrsakët kanë çdo gjë në balancë me “demat” e kuq, pasi në tri ndeshjet e deritanishme, ka dominuar barazimi (0-0, 1-1, 0-0). Në javën e 34-t Teuta e pret Partizanin në “Niko Dovana”.