Mijëra tifozë të Barcelonës mbushën rrugët e qytetit për të parë parakalimin e dy ekipeve të futbollit Blaugrana, që fituan titullin në kampionatin e meshkujve dhe femrave.

Të dielën, skuadra e drejtuar nga Xavi Hernandez mundi Espanyolin në derbi dhe siguroi matematikisht titullin e 27-të të La Liga-s në histori, i pari që nga viti 2019 për katalanasit, ndërkohë që femrat e kishin arritur tashmë triumfin e katërt radhazi prej disa javësh.

Lojtarët dhe stafi u transportuan në dy autobusë me çati të hapur, duke u nisur midis dy krahëve të turmave brohoritëse nga “Camp Nou” drejt monumentit Arc de Triomf. Të gjithë mbanin bluza ku shkruhej “kampionati është i yni, po kështu është e ardhmja”.

Për skuadrën e drejtuar nga Alexia Putellas sezoni nuk ka mbaruar, sepse i mbetet për të luajtur edhe finalen e Champions League. Shumë tifozë, mes thirrjeve dhe pankartave të ndryshme, kanë përmendur edhe Lionel Messin, me shpresën se klubi mund ta kthejë në “shtëpi” argjentinasin në fund të kontratës me PSG-në.

Duket qartë se tifozët blaugrana janë gudulisur nga ajo që tha presidenti Joan Laporta, i cili premtoi se “do të përpiqej shumë, do të bënte gjithçka për ta kthyer Messin te Barcelona”./telesport/