Vllaznia-Teuta ishte kryefjala e javës së 31-të, por në fund fitoi frika, ose më mirë fitoi Partizani që shpresonte pikërisht tek barazimi i dy skuadrave rivale.

Në “Loro Borici” nuk u zhvillua dueli më spektakolar i mundshëm, nuk ishte një ritëm i shfrenuar dhe emocione marramendëse, në fakt në këtë pikë të kampionatit vështirë të gjesh sfida ku skuadrat të humbasin ekuilibrat, sidomos dy ekipe që janë në garë për titull.

Vllaznia në fakt në pjesën e parë disa raste i krijoi, mbi të gjitha ajo mundësi e artë e Imerit, i cili e shpërdoroi duke mos goditur si duhet, teksa në fundin e fraksionit goditi edhe shtyllën me Hoxhajn.

Teuta u kujdes vetëm për të mos pësuar, megjithëse në segmentin e dytë e rriti disi lojën edhe pse të vetmin rast të vërtetë të ndeshjes e pati në sekondën e fundit me një goditje me kokë të Krasniqit që shkoi jashtë.

Nuk e dimë se kush doli më shumë e kënaqur nga të dyja skuadrat nga ky rezultat, ndoshta asnjëra, ose ndoshta pak Teuta meqë u duk se kish zbritur në “Loro Boriçi” për të mos humbur, gjithsesi diçka më tepër në aspektin e cilësisë duhej dhuruar në një takim mes dy ekipeve që potencialisht mund të shpallen kampion në fund të këtij edicioni.