Pasditen e djeshme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” është luajtur ndeshja Vllaznia- Partizani e vlefshme për kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj.

Ajo që ka rënë në këtë përballje ka qenë edhe vënia përballë njëri- tjetrit për herë të parë në karrierën e tyre, e vëllezërve Lekdreaj. Dodës që luan me Vllazninë, i është dashur të ketë si kundërshtar, vëllanë më të vogël- Danielin, që pak kohë më parë ka kaluar tek Partizani.

Ata luajnë në pozicione të ndryshme në fushë dhe për këtë arsye, nuk ka patur shumë përplasje në mes tyre megjithatë në momente të caktuara edhe ka ndodhur.

Ajo që nuk dihet me saktësi është se për kë ka bërë tifo babai i tyre-Tahiri, një njeri që ka sakrifikuar shumë për t’i bërë sportistë këta dy djem dhe sot padyshim që është i kënaqur kur i sheh në të tilla nivele.

Pa menduar shumë se kush fitoi dhe kush humbi prej tyre. Ata të dy janë fitues në këtë përballje vëllezërish.
© shkodrasport.com