Zgjedhja që bëri për të lënë Shqipërinë dhe për t’iu bashkuar Italisë, nga shumëkush u paragjykua megjithatë portieri me origjinë shkodrane Marco Molla, nuk duket i penduar. Kjo e ka edhe një arsye më shumë që do ta ndihmojë atë për të ardhmen.

Së pari, duke qenë pjesë e kombëtares italiane, ai do të shihet me një sy tjetër edhe në futbollin italian dhe nëse sot është pjesë e Bolonjës, nesër mund të shkojë edhe tek ndonjë ekip më i madh.

Së dyti, nëse do të kishte qenë pjesë e Shqipërisë, Molla do ta kishte ndalur rrugëtimin e tij që në raundin e parë të “Elite Round”, por me Italinë është ndryshe. Shkodrani do të luajë sërish edhe në turet e tjera sepse “azurrët” janë kualifikuar për më tej.

Italia fitoi me Andorën 7-0, me Armeninë 3-0 dhe po 3-0 edhe me Kroacinë duke zënë vendin e parë në grupin 13 të eliminatoreve. Në këtë mënyrë, kombëtarja italiane ka fituar të drejtën bashkë me 31 ekipet e tjera, që të vazhdojë rrugëtimin në këtë kompeticion duke pritur tashmë shortin e ditës së nesërme që do të hidhet në Nion dhe që do t’i përcaktojë kundërshtarët e ardhshëm të saj.

Kjo do thotë se Marco Molla do të jetë sërish pjesë e këtyre eliminatoreve dhe do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij edhe në këtë kombëtare.

Në fakt, pritej që 16 vjeçari shkodran të luante në ndeshjen e tretë, atë ndaj Kroacisë si titullar, por në fund stafi teknik vendosi t’ia besonte portën sërish Gasparinit sepse paraqitjet e tij kanë qenë shumë të mira.

Këtë e tregon më së miri fakti që në tre ndeshjet e zhvilluara, ai nuk ka pësuar asnjë gol. Në këto kushte Marco Mollës i duhet të presë momentin e tij dhe me siguri që do t’i vijë.

Jo më kot, zgjedhja që ka bërë për t’i thënë “po” Italisë, duket se ka qenë e duhura për të në aspektin profesional.
© shkodrasport.com