Luajtja e ndeshjeve të këtij sezoni në “Reshit Rusi” në fillim kishte pak skepticizëm për rezultatet e Veleçikut, në fakt po ndodh krejt e kundërta. Në katër ndeshje, ka arritur katër fitore duke treguar kësisoj njëfarë sigurie sa herë që luan në këtë fushë.
Kështu ka ndodhur edhe pasditen e sotme në ndeshjen ndaj Burrelit. Koplikasit kanë fituar 1-0 dhe në këtë mënyrë janë ngjitur në kuotën e 12 pikëve duke mbajtur vendin e pestë në renditje.
Ndeshja ka qenë shumë e fortë teksa të dy ekipet kanë luftuar fort për të siguruar fitoren. Sulmuesit kanë gabuar në fakt dhe kur u duk se ndeshja po shkonte drejt barazimit, ka ardhur edhe goli i shumëpritur.
Ka qenë minuta e 78-të e ndeshjes kur Veleçiku ka fituar të drejtën e një goditje dënimi në krahun e majtë të sulmit të saj. Atë e ka marrë përsipër ta ekzekutonte Plishta i cili ka gjuajtur bukur dhe topi është përplasur në traversë, ka hyrë në lojë dhe aty ka qenë braziliani Alexandre që e ka shtyrë topin për në rrjetë.
Kaq ka mjaftuar që djemtë e drejtuar nga trajneri Duli të marrin edhe një tjetër trepikësh, shumë të rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme në kampionat.
© shkodrasport.com