Vllaznia vazhdon të godasë në merkato. Rradha për të firmosur ka qenë për mbrojtësi korçar Tefik Osmani. Ai ka mbërritur sot në Shkodër, ka arritur akordin financiar me drejtuesit e klubit dhe pasditen e së hënës ka hedhur firmë në kontratë. Menjëherë pas kësaj është bërë edhe prezantimi i tij para mediave dhe bashkë me të, është prezantuar edhe Ndriçim Shtubina, një tjetër blerje e kuqebluve në këtë merkato.


Drejtori sportiv Armir Grima duke folur në lidhje me këto blerje, është shprehur shumë entuziast për paraqitjen e Vllaznisë në sezonin e ri duke e konsideruar atë një skuadër pretendente për trofe.
Pas Grimës, kanë folur edhe dy blerjet e fundit të kuqebluve. Tefik Osmani e ka konsideruar privilegj veshjen e fanellës së Vllaznisë dhe ka premtuar se do bëjë më të mirën për të ndërkohë që Ndriçim Shtubina ka premtuar se ai bashkë me shokët e tjerë të skuadrës do bëjë më të mirën për të rikthyer sërish tifozët shkodranë në stadium.
Me Osmanin dhe Shtubinën por edhe rumunin Dragoi në ardhje, Vllaznia tashmë duket e plotë për të nisur sezonin e ri. Pritet vetëm ardhja e një sulmuesi cilësor për të kompletuar merkaton kuqeblu të këtij sezoni e cila ka dhënë shenja të mira për një skuadër me pretendime në sezonin e ri.

 

Gjergj KOLA