Amerikani Darryl Palmer është blerja më e re e ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë që synon të mos heqë dorë nga titulli kampion dhe do të luajë fort deri në fund për ta mbrojtur këtë trofe. Sipas faqes zyrtare të ekipit shkodran,  në radhët e skuadrës kampione ka mbërritur basketbollisti amerikan Darryl Palmer. Kontrata mes basketbollistit dhe presidentit të klubit shkodran Sokol Dibra është nënshkruar sot paradite, me Palmer që do të veshë fanellën kuqeblu deri në fund të këtij sezoni.  Aktualisht, Vllaznia renditet e treta në kampionat, pas Tiranës dhe Teutës.

Palmer, 23 vjeç dhe 2.03 metra i gjatë, ka luajtur së fundi në Estoni,  një basketbollist me përvojë dhe që pritet të japë një kontribut të madh te skuadra shkodrane. Por ai nuk do të jetë përforcimi i vetëm i ekipit që drejtohet nga trajneri Bledar Gjeçaj, pasi gjatë janarit priten të tjera përforcime. Këtë e konfirmon presidenti Dibra, që thotë se ardhja e Darryl Palmer është vetëm fillimi i merkatos për Vllazninë, që synon titullin e katërt kampion radhazi në Shqipëri. Vllaznia është skuadra e tretë te meshkujt që afron lojtarë të huaj pas Tiranës dhe Teutës. Në fakt, tek skuadra shkodrane amerikanët kanë luajtur edhe në sezonet e mëparshme teksa Brendon Hog dhe Alen Korej kanë lënë gjurmë tek ajo duke u shpallur madje kampionë të Shqipërisë. Ardhja së fundi e Palmer është një tregues se kuqeblutë e trajnerit Gjeçaj do të jenë shumë të fortë në gjysmën e dytë të kampionatit.

© shkodrasport.com