Ekipi i Vllaznisë në basketboll për meshkuj e ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale të kampionatit kombëtar, atë të luajtur ndaj ekipit të Klubit Tirana. Ndeshja është zhvilluar pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe është ndjekur nga një numër i konsiderueshëm tifozësh. Dy pikët e para janë shënuar nga mqtë me anë të Voglit por nuk i ka penguar basketbollistët e Vllaznisë që të marrin frenat e lojës në dorë dhe pa kaluar shumë momente, rezultati do kalonte në epërsinë e tyre. Perioda e parë e kësaj ndeshje do të mbyllej në shifrat 23-9. Shquhen në këtë periodë malazezi Dragiçeviç dhe serbi Kovaç. E njëjta epërsi do ruhej, madje do thellohej edhe më shumë në periodën e dytë që fitohet sërish nga Vllaznia 20-17 dhe në këtë mënyrë, me 17 pikë epërsi në favor të kuqebluve, skuadrat shkojnë në pushimin e ndeshjes. Kjo epërsi nuk i pengon vendasit ta thellojnë edhe më shumë rezultatin teksa fitojnë edhe periodën e tretë, 24-21. Kur duket se Vllaznia do të arrinte një fitore të thellë, ajo lëshon në lojë. Nuk i kushtohet shumë rëndësi mbrojtjes e për këtë arsye ekipi i Klubit Tirana do ta fitonte periodën e tretë më shifrat 19-11 por i gjithë takimi do mbyllej me fitoren e skuadrës shkodrane 78-66. Ajo që duhet thënë është se në këtë ndeshje, është vërejtur një formë jo e mirë sportive e basketbollit më të mirë të Vllaznisë Nikolla Gjokoviç që dukej shumë nervoz në lojë dhe për rrjedhojë nuk ka qenë i saktë në gjuajtjet e tij. Pikët e shënuar nga skuadra shkodrane kanë patur këtë shpërndarje:
Nikolla Jeftiç         22 pikë
Nikolla Kovaç        20 pikë
Zharko Dragiçeviç 19 pikë
Nikolla Gjokoviç     11 pikë
Ervin Berdica          6 pikë

Kjo ka qenë fitorja e parë e Vllaznisë në turin gjysmëfinal ndërkohë që ndeshja e dytë do të zhvillohet ditën e martë në Tiranë. Në rast se edhe ajo fitohet nga skuadra shkodrane, nuk do jetë e nevojshme të luhet ndeshja e tretë në Shkodër. Gjasat janë që të ndodhë kështu, me atë që treguan skuadrat sot në fushën e lojës.
Gjergj KOLA

(www.shkodrasport.com)