Vllaznia U15 vijon me paraqitjet shumë të mira në kampionat dhe paraditen e së shtunës ka arritur të marrë një tjetëe fitore. Ajo ka pritur në fushën sportive “Reshit Rusi” ekipin “Football Republic”, me të cilin kishte kuotë të barabartë pikësh dhe për rrjedhojë u mendua se do të ishte një përballje me shumë rivalitet por në fakt nuk ka ndodhur kështu.
Futbollistët shkodranë të drejtuar nga trajnerët Nefail Zhejani dhe Denis Zmijani e kanë dominuar ndeshjen në të gjitha drejtimet dhe në fund e kanë fituar atë me rezultatin e thellë 5-0. Gjithçka është bërë shumë e thjeshtë për ta sepse takimi ka nisur me gol.
Futbollistët kuqeblutë kanë fituar një 11-metërsh që në minutën e 4-t dhe ai është kthyer në gol nga mesfushori Ersi Zaganjori. Një gol që do ta ndihmonte ekipin shkodran për ta dominuar më pas ndeshjen dhe në pjesën e para janë shënuar edhe tre gola të tjerë me autorë Halilin, Gurin dhe Zaganjorin dhe kësisoj pjesa e parë do të mbyllej në shifrat 4-0.
Në pjesën e dytë ndërkohë do të dilte në skenë sërish futbollisti Zaganjori që do të shënonte edhe golin e pestë për ekipin dhe të tretin personal në këtë ndeshje. Në këtë mënyrë, i gjithë takimi është mbyllur me fitoren e thellë 5-0 për Vllaznia U15 e cila pas javës së pestë të kampionatit ngjitet në kuotën e 12 pikëve.
Aktualisht ajo mban vendin e dytë në tabelën e klasifikimit megjithatë objektivi padyshim që është shpallja kampion. Kjo ngaqë në përbërje ka një brez lojtarësh të talentuar të cilët luajnë bukur futboll dhe kanë elementë shumë të mirë në përgatitjen e tyre.