Në mediat e shkruara sportive në vendin tonë ditën e sotme ka bërë përshtypje një deklaratë e presidentit të Vllaznisë, Alban Xhaferri.

Numri një i kuqebluve ishte prononcuar për merkaton dhe zhvillimet e fundit në skuadër, ku tashmë kampionati është në prag të ristartimit, ku të premten do jëte ndeshja kundër Partizanit në transfertë.

Por ajo që bëri përshtypje më tepër ishtë deklarata që ai është i gatshëm të plotësojë dëshirat e stafit për merkaton verore. E me patjetër ajo që ka nevojë skuadra në këto momente dhe që ishte theksuar në intervistën e Xhaferrit. Deklaratë patjetër që jep optimizëm tek tifozët shkodranë, të cilët sikur kishin humbur optimizmin për afrime në këtë sesion merkatoje.

Koha mjafton që deri në fund të muajit të afrohen edhe elementët e duhur për të përforcuar skuadrën. Por patjetër që duhet gjetur edhe marrëveshja e duhur për të bërë disa largime në këto momente. Kjo pasi do krijohej një mbipopullim në ekip në disa reparte dhe para se të mendohet për afrimet duhet të ketë disa largime.

Tashmë ekipi është i përqendruar në fushën e lojës sepse në prag është dueli me Partizanin, që kryeson Superioren. Për merkaton do merren drejtuesit dhe njerëzit e duhur, të cilët po përpiqen të mos nxitohen në këtë periudhë, ku edhe eksperienca e viteve të shkuara me afrimet e janarit nuk ka qenë edhe aq pozitive.
Endri ÇINARI