Paraditen e sotme është luajtur ndeshja e fundit e javës së katërt të kampionatit kombëtar të futbollit për femra, ajo në mes Vllaznisë dhe “Juban Danjes”.

Një sfidë e cila konsiderohet “derbi” i këtij kampionti për vetë emocionet që ka dhuruar në vite, por në fakt sot nuk ka patur shumë rivalitet.

Vajzat kuqeblu të drejtuara nga trajneri Nikolin Leka kanë arritur një fitore të thellë 7-0. Dy prej golave të kësaj fitoreje janë shënuar në pjesën e parë dhe kanë patur për autore të njëjtën futbolliste: Arlinda Gruda.

Në pjesën e dytë ndërkohë Vllaznia ka shënuar edhe pesë gola të tjerë, tre prej të cilëve mbajnë autorësinë e Luçie Gjinit ndërsa dy të Megi Doçit.

Në këtë mënyrë, kampionet në fuqi të vendit marrin një tjetër fitore në kampionat dhe ndodhen në kuotën e 12 pikëve, po aq sa edhe Tirana AS, Kinostudio dhe Apolonia.

Në javët e ardhshme, vajzat kuqeblu do të kenë sfidat direkte me këto ekipe që do të përcaktojnë edhe fatet e kampionatit.
© shkodrasport.com