
Ekipi i Vllaznisë në atletikë për të rritur, ka arritur të fitojë një tjetër trofe. Atë të Kupës së Shqipërisë për vitin 2017. Në garat e zhvilluara ditën e sotme në Elbasan, atletët shkodranë kanë dominuar mbi të tjerët dhe në fund duke grumbulluar 152 pikë kanë zënë vendin e parë. Ata kanë lënë në vendin e dytë ekipin e Tiranës që grumbulloi 113 pikë dhe në të tretin Teutën me 96 pikë. Për t’u përmendur është edhe fakti se Vllaznia nuk ka patur përbërjë të plotë në këto gara teksa ndër të tjera i ka munguar edhe Kampioni i Europës Izmir Smajlaj. Megjithatë vendin e tij e ka zënë një tjetër sportist i talentuar, Ergys Gjeçaj i cili ka zënë vendin e parë në garën e kërcimit së gjati me një distancë shumë të mirë, 7.35 m. Ky sportist ka zënë vend të parë edhe në garën e kërcimit trehapësh. Njëkohësisht ka merituar edhe kupën e sportistit më të mirë të aktivitetit. Një tjetër sportist i dalluar ka qenë Bajram Muça që është shpallur fitues në dy disiplina, atë 100 dhe 200 metra. Këto kanë qenë katër vendet e para për atletët e Vllaznisë ndërkohë që nuk kanë munguar edhe vendet e dyta dhe ato të treta. Ka spikatur gara e një sportisti të ri- Franko Burraj i cili në garën e 400 metrave ka bërë një paraqitje shumë të mirë ndonëse mosha e tij është shumë e re dhe po ashtu edhe ka vetëm pak kohë që merret me këtë sport. Në garat e sotme kanë marrë pjesë 160 sportistë të 9 ekipeve ndërkohë që kishte pjesmarrës edhe nga Kosova. Sa i takon garave të femrave, fitues i kupës është shpallur ekipi i Skënderbeut.
© shkodrasport.com