Vllaznia në volejboll për meshkuj ka fituar sot në mbrëmje 3-1 ndaj Studentit në finalen e dytë të play off-it, ndeshje e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Falë këtij triumfi, skuadra shkodrane udhëheq 2-0 me ndeshje dhe është vetëm një fitore larg titullit të parë kampion në histori. Ndeshja u dominua në përgjithësi nga skuadra shkodrane, që ishte më së shumti superiore në fushë edhe pse Studenti rivalizoi hera-herës, por pa forcën e duhur. Volejbollistët vendës, të mbështetur edhe nga tifozët e shumtë, bënë një paraqitje të mirë në parket, duke qenë më të saktë në sulm dhe efikasë në mbrojtje. Ndërsa Studenti nuk ishte konstant në lojën e tij, bëri shumë gabime dhe me përjashtim të setit të dytë, ku dominoi, në pjesën tjetër të takimit ishte gjithnjë në ndjekje të shkodranëve.Seti i parë është me luhatje në lojën e të dyja skuadrave, pasi herë udhëheq njëra e herë tjetra, madje fundi i saj bëhet shumë dramatic, pasi të dyja ekipet pretendojnë fitoren. Por mes disa polemikash, Vllaznia fiton 25-22, duke udhëhequr 1-0 me sete. Por Studenti kampion nuk dorëzohet dhe bën një lojë mjaft të mirë në setin e dytë, ku ka epërsi absolute, shkëputet dhe fiton thellë 25-14. Emocionuese loja edhe në setin e tretë, por që shpejt dominohet nga volejbollistët vendës, që shkëputen dhe fitojnë 25-20, duke marrë sërish epërsinë. Seti i katërt kthehet në një formalitet për Vllazninë, që mbështetur edhe nga tifozët shkëputet që në pikët e para, ndërsa Studenti duket i dorëzuar. Shkodranët fitojnë 25-14 dhe krejt takimin 3-1. Sfida e radhës do të luhet ditën e premten në kryeqytet, me shkodranët që mund të shpallen kampionë nëse fitojnë dhe ata normalisht që janë të përgatitur për këtë gjë. Djemtë e drejtuar nga trajneri Mark Kroqi do të tentojnë kësisoj historinë. Janë shumë pranë dhe gjasat janë që t’ia arrijnë.
© shkodrasport.com