Humbja në Vlorë, ndaj Flamurtarit, ka bërë që Vllaznia të shkojë sërish në vendin e pestë në renditje. Natyrisht, kjo nuk është pritur mirë nga ana e drejtuesve, apo edhe tifozëve, sepse tashmë objektivi i vendosur është mbajtja e vendit të katërt deri në fund të kampionatit. Arritja e këtij objektivi është konsideruar e mundshme edhe nga ana e një ish-lojtari të kësaj skuadre, Elvin Beqiri. Ky i fundit, në një prononcim për “SHKODRA SPORT” deklaron:

“Zënia e vendit të katërt nga Vllaznia në fund të kampionatit është padyshim e mundshme, nisur nga ecuria e mirë që skuadra ka patur në javët e fundit. Për këtë arsye, unë besoj se do të luftohet fort për ta arritur këtë gjë, sepse edhe kalendari është i favorshëm.Duhet siguruar ky vend, sepse kaq janë mundësitë e kuqebluve. Sa për fatin e Skënderbeut, nëse e fiton apo jo Kupën, për t’i liruar vendin Vllaznisë për në Kupat e Europës, kjo është çështje tjetër pastaj. Di të them se Vllaznia ka treguar dinjitet në kampionat, duke u marrë pikë edhe pretendentëve për titullin kampion. Në Vlorë vërtetë humbi, por skuadra ka luajtur mirë. Pavarësisht rezultatit, në fushë ka qenë e barabartë me kundërshtarin. Flamurtari shënoi dy gola, por edhe Vllaznia pati rastet e veta, goditi dy herë shtyllat e, po ashtu, ka patur edhe dy raste të dyshimta për 11-metërsh, që mund të kishin ndryshuar fatin e sfidës. Për këto arsye, kam besim se në fund të kampionatit, Vllaznia do ta zërë vendin e katërt në renditje”.
© shkodrasport.com