Vllaznia në xhudo ka zënë vendin e parë në turneun ndërkombëtar “Nënë Tereza” që u zhvillua ditën e shtunë në Shkodër me pjesmarrjen e sportistëve nga 6 vende të Rajonit. Pas ndeshjeve shumë të forta, në fund të aktivitetit që ka zgjatur jo pak si pasojë e pjesmarrjes së madhe të sportistëve, janë shpallur edhe xhudistët më të mirë. Ekipi shkodran është vlerësuar si më i miri i këtij turneu sepse në fund të tij, ka marrë 9 medalje të arta me xhudistët e vet në kategoritë e ndryshme. Kështu vend të parë ka zënë Leonis Dushi i Vllaznisë në peshën 24 kilogramë për  grupmoshën U-12, Arti Veseli në peshën 34 kilogramë po për këtë grupmoshë e po kështu edhe Luka Lukaj në peshën 38 kilogramë dhe Damian Çuni në peshën 42 kilogramë.

Për grupmoshën U-14, nga sportistët e Vllaznisë vend të parë ka zënë Reoland Vasia në peshën 46 kilogramë si dhe Flor Prendi në peshën 66 kilogramë. Po ashtu vend të parë ka zënë edhe Reoland Vasia në peshën 50 kilogramë për kadetë si dhe Xhovani Shkoza në peshën 66 kilogramë. Kanë qenë këta dy të fundit të cilët kanë bërë edhe ndeshjet më të bukura të këtij turneu i cili shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme falë drejtimit teknik të bërë nga kampioni i botës për mjeshtra Anton Cena, i ndihmuar nga Aurora Shkoza dhe Angjelin Dedaj. Megjithatë meritën më të madhe nga të gjithë e ka padyshim Anton Shkoza që vazhdon të na dhurojë të tillë aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare e po ashtu edhe medalje për ekipin e Vllaznisë.

Gjergj KOLA