Faza e parë e kampionatit të kategorisë së parë tashmë është lënë pas dhe ekipet janë bërë gati për atë të dytën e cila starton këtë fundjavë. Vllaznia do ta nisë nga Peshkopi, aty ku duhet të ndeshet me Korabin vendas, një sfidë kjo mjaft e vështirë sepse edhe kundërshtari tashmë pas rezultateve të fundit, i është rikthyer pretendimeve të tij.

Në kampin shkodran e kanë mëse të qartë këtë gjë dhe prandaj prej ditësh ka patur një angazhim maksimal në stërvitje. Një lajm i mirë është prania në stërvitje edhe e mbrojtësit Malota i cili ka qenë i dëmtuar javët e fundit por duket se e ka lënë përfundimisht pas atë dhe do të jetë i gatshëm për këtë ndeshje.

Megjithatë do të ketë edhe një konsultë të fundit me stafin mjekësor dhe më pas do të vendoset nëse ai do ta nisë nga minuta e parë apo jo. Aktivizimi i mundshëm i këtij mbrojtësi do të ishte një garanci më shumë për Vllazninë nisur nga përvoja e madhe që ai ka në futbollin shqiptar.

Pavarësisht këtij fakti, kuqeblutë do të kenë një objektiv të qartë për ta fituar me çdo kusht këtë takim. Ngushtimi i diferencës në pesë pikë me ndjekësin më të afërt, nuk do të thotë asgjë dhe në rast dështimi në Peshkopi gjërat do të komplikohen edhe më shumë për ta.

Trajneri Lika e ka të qartë këtë gjë dhe është munduar t’ua bëjë të qartë futbollistëve të tij vështirësinë që paraqet ky kampionat.

Përgjysmimi i pikëve në fazë e tretë, i ka vënë edhe më shumë në presion skuadrat dhe sidomos Vllazninë, të cilës pesë pikët që ka aktualisht në epërsi ndaj vendit të dytë sepse do të thotë se nuk ka asgjë të sigurtë për arritjen e objektivit, ngjitjen në Superligë. Për të mos e vënë në diskutim këtë gjë, patjetër që Vllaznia pikësëpari duhet të fitojë të shtunën në Peshkopi.
© shkodrasport.com